Sunday, February 5, 2012

Hides

Lamtumirë Hidë! Brezovica mbeti pa ty Hidë, Kosova mbeti pa ty, Shqipëria nuk të njohu dot, e nuk e di ende që ka mbetë pa ty, nuk besoj se ka për ta marrë vesh ndonjëherë. Por ani, kjo nuk është dhimbja më e madhe, dhimbja më e madhe është që ike shpejt, edhe pse më shkruaje që problemet shëndetësore të verës së kalueme nuk ishin serioze, kishin kaluar e që po merreshe nga pak me letërsi, me atë letërsi që u magjepsa teksa e lexoja. Më prisje në Kosovë Hidë, më prisje në Brezovicë, e nuk erdha dot, e kjo mosardhje në këto momente është e dhimbshme si vetë humbja e jote, si kjo ikja e jote e papritur. Të njoha nga “Ato letra i shkrova vetë”, ishte njohje e vonë, por ishte njohje që nuk do e ndërroj me ndonjë njohje tjetër në letërsinë shqipe. E tani që po pushon e qetë në tokën tande të Kosovës, është tejet e zorshme për të thënë lamtumirë, e ja që duhet të të them lamtumirë dhe të ruaj librat e tu, mesazhet e tua, si gjëra të shtrenjta. Të paktën të kem mundësi të takohem me ty atje, te biblioteka ime. Dhe nisem ... Unë tha, e fsheha testamentin Në gjinjtë e bardhë tambël Të reve që hedhin shamitë e shpresës, Ua përhumba shtrigave të natës që enden Në dimrin shterpë pa borë Përgjojnë zërat e fëmijëve të messhekullit Nën rrënjët tërthurë të shelgut plak brejtur Drini, E lidha me mëgjitë e unazës sime, pa rrokje, Atë natë kur Zeusi më zgjodhi për nuse Në shkëmbin e thepisur të Risanit. (Hida Halimi) -Hida Halimi, shkrimtare shqiptare u nda nga kjo jetë më 1 shkurt të këtij viti në moshën 63 vjeçare. Njihet si romancierja e parë e Kosovës me romanin “Ai nuk ishte Fidia” më 1995, ndërsa romani tjetër “Njeriu im” është botuar në frëngjisht. “Ato letra nuk i shkrova vetë”, novela e tregime u botuan në 2007.